Pas ngritjes së problemit nga ana e qytetarit Iljaz Osmani se dëmtimi i rrjetit të ujërave të zeza në këtë pallat në lagjen “Gjeologu” në Bulqizë, po rrezikonin shembjen e tij, ka ndërhyrë ndërmarrja e ujësjellës-kanalizmeve. Përgjegjësi i sektorit të kanalizimeve në këtë ndërmarrje, Fiqiri Përkoxha tha se ndërhyrja është bërë për tju ardhur në ndihmë banorëve që jetojnë në pallat, pasi nuk është detyrë e ndërmarrjes për të ndërhyrë brenda objektit. Ai shtoi se tubacioni shkarkues duhej të ishte riparuar nga vetë banorët e këtij pallati ose e pronarit që zotëron katin e parë të tij. Derdhja e ujërave të zeza në themelin e këtij pallati rrezikonte shembjen e tij. Megjithëse problemi u ngrit nga pronari që ka marrë këtë hapsirë në katin e parë, nuk dihet se kush e ka dëmtuar këtë tubacion. Por me ndërhyrjen e ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizmeve Bulqizë, problemi merr fund.