Bulqiza u përfshi në fundjavën që lam pas nga reshje dëbore të cilat u shoqëruan gjatë orëve të natës me ngrica. Megjithëse sasia e rënë nuk ishte e madhe, probleme pati në zonat e thella. Megjithatë, reshjet e borës tashmë janë ndaluar, ndërsa vendi është përfshirë nga reshjet e shiut. Problematike situata mbetet në afërsi të urës mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës, pasi rruga vijon të jetë e mbushur me ujë. Një tjetër problematikë është edhe ajo në segmentin e rrugës së Arbrit në afërsi të Qafës së Buallit. Në këtë pjesë vijojnë të shemben gurë të mëdhenj, të cilët kanë bllokuar në të dy anët e rrugës kanalet kulluese. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu tha nuk ka patur probleme të raportuara në njësitë administrative.
Problemet më të mëdha nga bora e fundit dhe ngricat në Bulqizë u shkaktuan në frutikulturë, kryesisht tek pemët që kishin çelë lule.