Bulqizë / Pallati i dëmtuar nga tërmeti kthehet në “strehë” për lopët

Bulqizë / Pallati i dëmtuar nga tërmeti kthehet në “strehë” për lopët

Që prej tërmetit të vitit 2019, ky pallat në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës është kthyer i pabanueshëm. Ekspertët e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tërmetit të 26 Nëntorit të vitit 2019, vendosën se në këtë pallat të largoheshin të gjitha familjet që ishin vendosur aty, për shkak se nuk kishte siguri. Por edhe pse po bëhen afro 7 vite nga ajo ngjarje e rëndë për Shqipërinë, ky pallat vijon të mbetet në këmbë ndërsa familjet që jetonin në të janë zhvendosur në banesa të tjera. Autoritetet vendore e ato qëndrore ende nuk kanë dalë në një zgjidhje konkrete se çfarë do të bëhet me këtë objekt, ndërsa familjet presin për banesa të reja. Duke qenë se pallati është i pabanueshëm për njerëzit, në këto ditë të nxehta po shfrytëzohet nga kafshët shtëpiake që qëndrojnë lirshëm në rrugët dhe hapësirat e gjelbëra të Lagjes së Re të “qytetit të minatorëve”. Siç duket nga pamjet, hapsirën hyrëse të pallatit, e cila është bllokuar për banorët me një portë hekuri, po e shfrytëzojnë lopët të cilat i largohen vapës. Shumë objekte të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 në Qarkun Dibër kanë mbetur po në atë gjendje për shkak se ky qark nuk u përfshi nga Qeveria në zonën e emergjencës civile që u shpall me vendim qeverie.