Më në fund i është dhënë zgjidhje problemit të ndotjes që shkaktohej nga djegia e mbeturinave në vendin e quajtur Qafa e Buallit.
Prej disa ditësh ky venddepozitim mbetjesh ishte në flakë duke bërë që tymi e gazrat e shkaktuara nga djegia e mbeturinave plastike apo të llojeve të tjera, të shpërndahej në hapsirë, duke u kthyer në rrezik serioz për shëndetin e banorëve të Bulqizës.
Por më në fund ka ardhur një zgjidhje, pasi problemi u bë disa herë mediatik, Bashkia e Bulqizës ka reaguar, duke bërë të mundur mbulimin me dhe të këtyre mbetjeve që digjeshin në këto temperatura përvëluese.
Nuk dihet nëse do të vijohet të hidhen mbeturinat këtu, pasi Bashkia Bulqizë ka edhe një tjetër venddepozitim në rrugën që të dërgon në Krastë të Martaneshit i cili përdoret edhe nga ana e Bashkisë Klos, për të depozituar mbeturinat e saj.
Djegia e mbeturinave në qfën e Buallit ishte kthyer në një shqetësim jo vetëm për ata që lëviznin në afërsi të tyre, por edhe për qytetarët e tjerë që dilnin xhiro pasditeve, pasi aroma e keqe kundërmonte kudo.