Në kuadër të muajit dhjetor i cili është muaji i mbjelljes së pemëve, me iniciativë të Shoqatës së Mjedisit dhe Turizmit dhe me mbështetjen e Bashkisë Bulqizë e nxënësve të shkollës së mesme të bashkuar Krastë, është bërë e mundur mbjellja e 300 pemëve pishë e zezë në Njësinë Administrative Gjoricë të Bashkisë Bulqizë. Për shtimin e gjelbërimit në këtë zonë është zgjedhur vendi historik, ku është bërë lufta kundër forcave Turke në vitin 1844 të komanduara nga Hajredin Pasha, ku sot ndodhet memoriali simbol i kësaj lufte i nëntë maleve të Dibrës. E pranishme në mbjelljen e këtyre 300 fidanëve pishë e zezë ishte edhe kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Drejtuesit e shoqatës dhe nxënësit e shkollës thanë se kjo iniciativë duhet të vazhdojë për të kompensuar pemët që janë humbur si rezultat i zjarreve apo prerjeve të paligjshme.
Nxënësit e shkollës “Jani Minga” të Martaneshit u bëjnë apel edhe shkollave të tjera që t’i bashkangjiten fushatës së mbjelljes së pemëve.