Ndonëse kanë kaluar 9 ditë nga situata e krijuar nga helmimi masiv i banorëve të lagjeve “Gjeologu” e “Minatori” në Bulqizë, ende situata vijon të jetë alarmante. Uji i rrjetit të furnizmit të këtyre lagjeve vijon të jetë i ndaluar për banorët. Ndërkohë, burime pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Bulqizë, thanë se ende nuk kanë ardhur përgjigjet e analizave me mbjellje. Sipas të njëjtave burimeve, Istituti i Shëndetit Publik ka lajmëruar që përgjigjet përfundimtare për të vërtetuar nëse ishte uji i pijshëm shkaktari i qindra të helmuarve, do të dalin të Martën ose të Mërkurën.
Nga data 4 Maj e deri këtë të hënë, në spitalin e Bulqizës janë paraqitur rreth 140 persona me diarre dhe dhimbje barku. Mjekët e spitalit të Bulqizës janë shprehur se pacientët janë trajtuar në shërbimin e urgjencës e më pas janë larguar për në banesat e tyre.
Helmimi masiv në Bulqizë dyshohet që erdhi nga rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm që merret nga një ish galeri kromi në minjerën e Bulqizës. pikërisht këtu dyshohet se ka ndodhur ndotja duke shkaktuar intoksikim. Gjithsesi do të jenë analizat përfundmitare nga ISHP që do të vërtetojnë nëse ka qenë uji i pijshëm apo ndonjë faktor tjetër shkaktari.