Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë disa investime në rrjetin përcjellës sidomos deri tek abonentët, kjo edhe për faktin për të ulur vjedhjet. Ndërkohë, problem mbeten kabinat elektrike të cilat në zonat rurale, po vënë në rrezik jetën e banorëve. Kjo është kabina elektrike e fshatit Peladhi në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës. Siç shihet edhe nga pamjet ajo është krejtësisht e hapur dhe që në të mund të futet kushdo, kafshë apo njerëz. Kabina ndodhet shumë pranë banesave dhe përbën rrezik të madh për fëmijët e vegjël të cilët shkojnë të luajnë aty pranë. Banorët e Peladhisë shprehen se vazhdimisht kanë bërë kërkesë në degën e OSHEE-së në Bulqizë, por deri tani nuk është marrë asnjë masë, për të siguruar këtë kabinë elektrike. Nga ana tjetër, banorët thanë jashtë kameras se nëse OSHEE nuk do të ndërhyjnë, atëherë ata do ta shembin kabinën e cila po ju rrezikon jetën çdo ditë.