Ish minatorët e Bulqizës të cilët kanë dalë në pension nuk sigurojnë dot të ardhura të mjaftueshme ekonomike për të mbajtur familjet e tyre. Të gjendur në këto kushte, shumë prej tyre i rikthehen kromit, ndoshta jo në thellësi të tokës, por në sipërfaqe. Ky është 63 vjeçari Hamdi Osmani i cili për 30 vite ka punuar nëntokë. Osmani tashmë është pensionist, por 23 mijë lekët të rinj që merr nga pensioni nuk i mjaftojnë për nevojat e familjes. Ai thotë se del çdo ditë në stogjet e kromit në kërkim të gurëve me vlerë me të cilët nxjerrë nga 300 deri në 400 lekë të rinj. sasinë e kromit e dorëzon tek ata të cilët e mbledhin me mjete, ndërsa pagesën thotë se e merr një herë në muaj.

Hamdi Osmani nuk është ish minatori i vetëm që del në stogjet e kromit në kërkim të gurëve të çmuar. Në stogjet e kromit të minierave të Bulqizës, dalin çdo ditë gra, burra e fëmijë.