Nëse në Mat armiku më i madh i të mbjellave me grurë është karkaleci, në Bulqizë si armiku numër 1 është lulëkuqja dhe barishtet e këqija. Fermeri Miftar Tyçi nga fshati Vajkal i Bulqizës thotë se në 6 dynym tokë të mbjellë me grurë nuk pret të marrë prodhim i cili mbulon koston që duhet deri në korrje të grurit. Sipas tij, fajin më të madh e kanë farërat të cilat janë pa certifikatë sigurie dhe se subjektet që i tregtojnë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Tyçi shprehet se në parcelat e mbjella me grurë prej tij, ka prani shumë të madhe të lulëkuqes dhe barishteve të tjera të këqija, të cilat ndikojnë direkt në uljen e rendimentit të prodhimit të grurit.

Problemin me cilësinë e farës fermeri Miftar Tyçi e ka hasur edhe tek misri. Sipas tij, është dashur të shpenzojë për ta mbjellë tre herë kulturën e misrit pasi fara nuk kishte fuqi mbirjeje.