Më shumë se 50 familje të dy lagjeve në Fushë-Bulqizë janë pa një rrugë funksionale automobilistike. Bëhet fjalë për lagjet “Shabanaj” e “Kicaj”. Banorët e këtyre dy lagjeve thonë se nuk kanë patur asnjëherë mbështetjen e pushtetit vendor, pasi prej kaq shumë vitesh demokraci ende kanë si problem rrugën automobilistike.
Banorët shprehen se vetë me forcat e tyre kanë ndërtuar një urë mbi përroin e Bulqizës në të cilën mund të kalojnë vetëm në këmbë. Sipas banorëve të lagjeve “Shabanaj” e “Kicaj”, më problem mbeten ditët kur ka shumë shi pasi uji i përroit e mbulon gjithë urën dhe është e pamundur të kalohet nga njëra anë në tjetrën.
Sipas banorëve, Bashkia e Bulqizës nuk i është përgjigjur peticionit të drejtuar prej tyre, duke mos marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi.