Temperaturat e ulta që kanë përfshirë zonën verilindore, që gjatë natës zbresin deri në minus 16 gradë Celsius, kanë vënë në vështirësi banorët e Bulqizës, territori më i ftohtë në qarkun Dibër. Më së shumti për ngrohje banorët përdorin drutë e zjarrit, që këtë vit kanë pësuar një rritje më të lartë të çmimit. Sipas banorëve, me gjithë blerje, prerje dhe transport të druve, kostoja e tyre shkon nga 60-80 mijë lekë të vjetra metër kubi, gjë që ato thonë se është e papërballueshme për xhepin e tyre. Mjaft prej banorëve i shmangen ngrohjes me energji elektrike, pasi thonë ato, nuk mund të paguajmë faturat e rritura të energjisë me këto të ardhura që kanë, por edhe se përballë këtyre temperaturave ngrohja me korent do të ishte joefikase.

Këtë vit banorët e Bulqizës drutë e zjarrit i kanë siguruar më së shumti në tregun privat, që e ka rritur çmimin e druve më shumë se vitet e tjera. Kjo pasi privatët abuzojnë me të ftohtët dhe rrisin çmimin e druve të zjarrit. Ndaj banorët kërkojnë nga pushteti vendor që të marrë masa që shërbimi i furnizimit me dru zjarri të bëhet në vijimësi përmes firmave kontratuale të Bashkisë Bulqizë.