Mat Televizion solli dy ditë më parë ndotjen e madhe të shkaktuar nga hedhja e mbeturinave në Qafën e Buallit nga ana e Bashkisë së Bulqizës. Ndonëse vendi është përcaktuar nga vetë Bashkia Bulqizë për hedhjen e mbeturinave të konsumit të përditshëm, sistemimi i tyre mungon.

Pas këtij lajmi ka reaguar menjëherë bashkia duke nxjerrë mjetet në terren, por që vetëm sa i kanë larguar nga rruga e asgjë më shumë. Siç shihet edhe nga pamjet, mbetjet të cilat gjendeshin buzë rruge, vetëm sa janë larguar më poshtë. Specialistët e mjedisit vijojnë të ngrejnë alarmin e ndotjes në këtë vend për shkak të prezencës së madhe të mbetjeve.

Një ndër kushtet e vendosura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ndaj pushtetit vendor, është sigurimi i pikave të grumbullimit të mbetjeve, rrethimi i tyre dhe trajtimi nëpërmjet mbulimit me dhe, në mënyrë që të shmanget ndotja.

Por në Qafën e Buallit asnjë nga këto kushte nuk janë plotësuar, ku duket qartë se mbeturinat plastike janë shpërndarë në një perimetër të gjerëm, të ndihmuara edhe nga era e fortë që fryn vazhdimisht aty.