Stogjet e kromit nëpër Bulqizë, edhe pse në disa raste janë rrezik për banorët, ato vazhdojnë të jenë një burim ushqimi për shumë familje. Gra e fëmijë i sheh çdo ditë në këto stogje kromi të cilat nisin që nga Qafa e Buallit e deri në afërsi të qytetit. Siç shihet edhe nga pamjet, gratë dhe fëmijët rrëmojnë papushim në mbetjet e hedhura nga firmat e kromit, me shpresën se do të gjejnë ndonjë gurë të çmuar i cili do tju kthehet në të ardhura.
Tashmë prej kohësh, qëkur instancat shtetërore nisën një fushatë për ndalimin e fëmijëve duke mbledhur krom, edhe të rriturit i shmangen objektivit të kameras. Ata jo vetëm nuk pranojnë të flasin por shprehen se ndjehen të rrezikuara nëse ju shfaqet fytyra.
Gjithsesi, këto gra jashtë kameras shprehen se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura për familjet, pasi disa prej tyre nuk kanë as burrat të cilët kanë humbur jetën në minjerë.
Situata është vërtetë e dhimbshme teksa përgjatë gjithë rrugës nga Qafa e Buallit e deri në qytetin e Bulqizës, sheh këtë pamje.