Banorët e lagjes së vjetër të Bulqizës kanë thyer ndalimin e konsumimit të ujit të pijshëm. Megjithëse Drejtoria e Shëndetit Publik në Bulqizë që nga e hëna e javës së kaluar vendosi fletushka që kërkonte banorëve të mos konsumojnë ujin e rrjetit, banorët në pamundësi për ta blerë, kanë pirë po në të njëjtin ujë. Ata shprehen se nuk mund të vazhdojnë të blejnë ujë përderisa ka ujë në çezme. Sipas tyre, autoboti i cili sillte ujë nga burime të tjera, nuk shkon më. Në këto kushte ata përdorin ujin e rrjetit që dyshohet se helmoi rreth 140 persona.
Ndërkohë, Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu shprehet se banorët duhet të vazhdojnë të mos e konsumojnë ujin e rrjetit, derisa të dalin analizat përfundimtare.
Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella shprehet se numri i qytetarëve që paraqiteshin me helmim është ndalur. Në dy ditët e fundit, sipas tij nuk është paraqitur në spital asnjë rast.