Fshati Peladhi në Njësinë Administrative Zerqan në Bulqizë është ndër fshatrat më piktoresk. Ndonëse fshati ndodhet jo shumë larg rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi, banorët numërojnë 100 ankesa ndaj pushtetit vendor e atij qëndror. Ata ankohen se në këto 30 vite demokraci, asgjë nuk është bërë në fshatin e tyre. Ndonëse janë rreth 1 mijë metra nga rruga nacionale, ata në fakt pothuajse nuk kanë rrugë, pasi asnjë mjet nuk kalon dot në të. Shumë prej banorëve detyrohen t’i lënë makinat në rrugën nacionale, ndërsa transportin për në banesa e bëjnë me kafshë ngarkese. Por ata nuk kanë të vetmin problem rrugën, pasi mungesa e ujit vaditës ka detyruar që fshatin ta braktisin shumë banorë të tij. Nga ana tjetër banorët thonë se në çdo zgjedhje lokale apo qëndrore, premtohen investime, por sapo zgjedhjet përfundojnë drejtuesit vendor apo deputetët nuk bëhen më të gjallë aty.