Problemet me rrjetin e furnizimit me energjinë elektrike janë të shumta në Bashkinë e Bulqizës. Banorët e zonave rurale në këtë njësi vendore ankohen se nuk është investuar siduhet në rrjetin e shpërndarjes, duke krijuar probleme me furnizimin me energji sidomos në stinën e dimrit. Garip Murrja nga Shupenza ka disa probleme me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ai thotë se 400 metra lineare të rrjetit e ka ndërtuar vetë në vitin 1996 dhe e paguan rregullisht energjinë elektrike. Në këtë zonë sipas tij, vetëm ai dhe i vëllai nuk e kanë linjën deri tek matësi me kabull, ndërsa të tjerët po. Garip Murrja shprehet se për këtë i është drejtuar disa herë OSHEE Bulqizë, por kjo e fundit është justifikuar duke u shprehur se investimin me kabull e bën një firmë private dhe se nuk mund ta zgjidhë problemin. Po ashtu, Murrja shton se ka probleme edhe me mbifaturimin, apo që matësi mund të mos jetë i rregullt.

Murrja shpreson që OSHEE të reagojë dhe të zgjidhë përfundimisht problematikat e familjes së tij në lidhje me rrjetin përcjellës të energjisë elektrike.