Zyrtarisht Bulqiza do të ketë edhe një ekip tjetër futbolli. Klubi Sportiv do të quhet “Minatori” dhe është formuar nga djem të zonës së Bulqizës. Këtë të hënë në ambientet e e FSHF-së është hedhur shorti për Kategorinë e Tretë, ku do të luaj edhe ekipi i Minatorit.

Sipas FSHF-së, kampionati do të nisë më 24 nëntor dhe këtë sezon do të marrin pjesë 13 skuadra: Gramozi (Ersekë), Përmeti, Këlcyra, Skrapari, Çerma (Lushnjë), Minatori (Bulqizë), Spartaku (Tiranë), Kinostudio (Tiranë), Drini (Dibër), Albanët (Tiranë), Adriatiku (Sukth), Basania & AM (Shkodër) dhe Klosi.

Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë të gjitha ndeshjet do të luhen në Qendrën Kombëtare Stërvitore në Kamzë. Dy vendet e para fitojnë të drejtën për t’u ngjitur direkt në Kategorinë e Dytë. Ndërsa skuadra e tretë, duhet të kalojë fillimisht ndeshje “play off”-i.

Skuadrat e renditura të fundit nuk mund të bien nga kategoria, por mund të provojnë në sezonin tjetër, për t’u ngjitur një kategori më lart. Sipas kalendarit parashikohet të luhen gjithsej 26 javë, të ndara në dy faza, transmeton gazeta sportive “Panorama”. Çdo xhiro do të ketë 6 ndeshje, ndërsa një nga skuadrat do të qëndrojë pushim.

Ekipi “Minatori” mësohet se ka të regjistruar në total 25 lojtarë nga Bulqiza – përballjen e parë do ta ketë kundër ekipit të Përmetit.