Kjo është pamja brenda masivit pyjor me pishë të zezë në zonën e njohur si Qaf Dushk në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit. Siç duket, hapsira e brendshme e këtij masivi pyjor është kthyer në kantier mbeturinash të cilat janë shpërndarë në një sipërfaqe të konsiderueshme. Për pak kohë në vendin tonë nis sezoni veror turistik dhe një pamje e tillë nuk do t’i bënte aspak mirë zonës por edhe vendit tonë.

  Shqetësues mbetet fakti që këtu jo vetëm që nuk po ndërhyjnë institucionet vendore për largimin e mbetjeve, por po lejohet që ndotja të rritet çdo ditë e më shumë. Banorët që jetojnë përreth zonës vazhdimisht janë shprehur të shqetësuar se persona të paidentifikuar e ndotin mjedisin duke shkarkuar mbetje nga më të ndryshmet që nga pijet jo alkoolike të skaduara, plastmasë etj.

  Apeli i banorëve mbetet i njëjtë, të ndalet ndotja e zonës dhe të gjenden e ndëshkohen ndotësit që përdorin këtë masiv pyjor për të hedhur mbetje të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.