BORONICA E EGËR E DIBRËS DEL NË SHITJE, TREGTARËT: NA MUNGON TREGU NË QYTETIN E PESHKOPISË
Zona e Dibrës ashtu si zonat e tjera të vendit tonë Kukësi, Tropoja e Malësia e Madhe njihen për mbledhjen e boronicës së egër në male. Në Dibër ka nisur mbledhja dhe shitja e boronicës së egër ku banorët e fshatrave që kanë bjeshkët me boronicë afër, kanë siguruar sasitë e para të kësaj bime mjekësore. Emrush Lahi nga fshati Ilnicë i Njësisë Administrative Melan në Bashkinë Dibër sapo ka sjellë në qytetin e Peshkopisë sasinë e parë të boronicës së egër. Përveç mungesës së fuqisë blerëse, Emrushi thotë se po përballet me një problem tjetër, atë të moslejimit të tregtimit nga ana e policisë bashkiake në hapsira publike. Por për këtë ai thotë se është i detyruar pasi qytetit të Peshkopisë i mungon një treg i mirëfilltë për shitjen e produkteve bujqësore, qofshin të kultivuara apo të egra. Aktualisht çmimi i një kilogrami boronicë e egër në qytetin e Peshkopisë tregtohet me 700 lekë, thuajse po aq sa viti i kaluar.