Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës. Bora me intemsitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 800 metra trashësia shk8n deri në 35-40 cm. Shumë drejtues mjetesh janë zënë të papërgatitur pasi nuk kanë qenë të pajisur me zinxhirë, duke ngelur në rrugë deri në ndërhyrjen e borëpastrueseve.

 Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendëshme të qytetit të Peshkopisë, ku rrugët nuk janë pastruar, dhe lëvizin me vështirësi vetëm mjete të larta. Kjo situatë pritet të përkeqësohet në mbrëmje për shkak se temperaturat pritet të zbresin deri në -8 gradë Celsius.

Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë pa komunikim me qytetin.

Në rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët, dhe trashësia në qytetin e Bulqizës shkon në 5 cm. Nuk ka probleme në rrugët e qytetit. Akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kanë kaluar mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet normal deri tani. Aksi kombëtar Peshkopi – Tiranë janë në punë 5 mjete borëpastruese dhe kalimi bëhet pa probleme.