Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e para të dëborës në vendin tonë. Zonat e thella të verilindjes u zbardhën nga bora e cila ka nisur që mbrëmjen e së mërkurës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e borës përfshinë fshatrat e thella të Njësisë Administrative Trebisht në Bulqizë, të fshatrave Tërnovë në Njësinë Administrative Zerqan dhe disa fshatra të Njësisë Administrative Martanesh.

Dëbora e rënë nuk ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në këto zona.

Po ashtu, reshje dëbore ka patur edhe në disa fshatra të thella të Bashkisë Dibër. Edhe në këto zona nuk ka patur probleme sa i përket lëvizjes.

Ndërkohë në Mat, bora përfshiu lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit, duke mos prekur zonat e banuara. Specialistët e Bujqësisë theksojnë se ulja e ndjeshme e temperaturave në këtë periudhë pritet të krijojë problem në sektorin e bujqësisë pasi shumë prodhime ende nuk janë vjelur.

Enver Doçi