Qarku Dibër u përfshi nga moti i keq në orët e para të ditës së sotme. Zona nën 1 mijë metra mbi nivelin e detit është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa pjesa tjetër nga reshjet e dëborës. Përreth 1 orë u bllokua qarkullimi i automjeteve në Bajpasin e Murrizit në rrugën e Arbrit si rezultat i reshjeve të dendura të dëborës.

Ndërkohë reshje bore ka patur edhe në fshatra të thellë të Dibrës si në Lurë, Selishtë, Kala e Dodës etj, por nuk ka patur probleme. Burime nga zyrat e Mbrojtjes Civile në bashkitë e Qarkut Dibër thanë se të gjitha rrugët rurale janë të kalueshme.

Problem pati në rrugën e Arbrit mes dy lagjeve të Bulqizës ku si rezultat i mosfunksionimit të kanaleve kulluese anësore, rruga u mbush me ujë duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.