Fshati Bllatë në Njësinë Administrative Maqellar të Dibrës, edhe pse është një fshat Kufitar me Maqedoninë, po përballet me probleme të mëdha. Banorët e këtij fshati shprehen se gjithmonë janë ndjerë të braktisur qoftë nga pushteti vendor e qoftë nga qeveria.
Fakti që fshati ndodhet në kufi, për banorët duhej të ishte ndër më të zhvilluarit qoftë ekonomikisht e qoftë nga ana infrastrukturore. Por sipas tyre, përgjatë gjithët këtyre viteve nuk është vënë dorë në asnjë sektor. Aktualisht ujërat e ndotura rrjedhin përmes fshatit, ujë të pijshëm nuk kanë e gjithashtu as ujë vaditës.
Banorët kërkojnë që të vihet dorë edhe në fshatin e tyre, pasi është një fshat që jo vetëm në të banojnë shumë banorë, por ka edhe resurse të mëdha turistike.