Fermerët e prodhimit të patates në zonën e Bulqizës po përballen me mungesë të tregut të shitjes. Fermerët e fshatit Bllacë, në Njësinë Administrative Shupenzë në Bulqizë, thonë se situata është e njëjtë çdo vit ndërsa nuk po mbulojnë dot as kostot e prodhimit. Fermeri Din Osmani shprehet se këtë vit ka patur një prodhim të mirë të patates, por tregu i shitjes mbetet problem madhor pasi nuk din ku ta çojnë prodhimin. Osmani shton se do të detyrohet ta hedhë prodhimin në përrua pasi askush nuk interesohet për pataten e cila vjen shumë më lirë nga vendet e tjera fqinje të Shqipërisë.
Fermeri Din Osmani shprehet se për sezonin e ardhshëm nuk ka vendosur nëse do të mbjellë më patate, vetëm nëse i sigurohet treg shitje nga shteti. Osmani shton se nëse do të ketë të sigurtë tregun e shitjes i gjithë fshati do të kultivonte patate dhe do të prodhonte me mijëra kuintal.
Ndonëse prodhimi në zona të larta malore, si Bllaca del me vonesë, tregu vendës është i mbushur me produkte importi që konkurojnë produktet e fermerëve vendas.