Blegtori Rrahman Llani: blegtoria po zhduket për mungesë të politikave mbështetëse
Gjithnjë e më pak në kullotat e qarkut Dibër vihen re tufa bagëtie. Kjo për shkak se numri i krerëve nga viti në vit po bie në mënyrë drastike. Banorët e zonave rurale po heqin dorë për një arsye apo tjetër për të mbarështuar bagëtinë. Rrahman Llani, nga fshati Vajkal i Bulqizës, thotë se dikur në këtë fshat kishte një numër të madh bagëtie, ndërsa sot i gjithë fshati numëron diku tek 70 krerë dele. Sipas Llanit shkak për këtë është bërë mosmbështetja siç duhet nga ana e strukturave shtetërore. Jo vetëm subvencionet që janë të nevojshme por edhe shërbimi veterinar që sipas blegtorit Rrahman Llani nuk është aty ku duhet. Rrahman Llani thotë se ka punuar 35 vite në galeritë e kromit në Bulqizë, por në mungesë të një pensioni dinjitoz detyrohet të mbarështojë bagëti. Statistikat tregojnë se numri i krerëve të bagëtisë së imët në Qarkun Dibër është përgjysmuar në 10 vitet e fundit.