Blegtori Hysen Gjoka: për pak vite mund të zhduket blegtoria në vendin tonë
Numri i tufave të bagëtisve në të gjithë qarkun Dibër ka rënë në mënyrë drastike në 10 vitet e fundit. Në të gjithë qarkun janë shumë pak blegtor të cilët i mbarështojnë ende bagëtitë e imta. Një ndër ta është edhe Hysen Gjoka, nga fshati Vajkal i Bulqizës. Hyseni tregon se aktualisht ka 140 krerë dele me të cilat mban familjen. Ai e bën këtë punë prej më shumë se 30 vitesh, ndërsa shprehet se ndihma që ka marrë nga shteti është e papërfillshme dhe se nuk mjafton për t’i mbajtur ende. Problemi më i madh në kohët e sotme është rënia drastike e numrit të bagëtive që mbarështohetn në të gjithë qarkun Dibër. Blegtori Hysen Gjoka thotë se mund të jenë të fundit tufë bagëtish sa ende është brezi i tij që i mban. Ai shton se pa zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë nuk ka as zhvillim ekonomik të vendit. Jo vetëm numri i bagëtisë së imët, por edhe i gjedhëve ka ardhur në rënie nga viti në vit në të gjithë qarkun Dibër.