[wordads]


Në kuadër të aktiviteteve që po organizohen për nder të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, me ftesë të Drejtorisë së shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos, këtë të mërkurë kreu i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Mat, Sefer Duka, zhvilloi me nxënësit e kësaj shkolle një bisedë tematike. Veprimtarinë e hapi Drejtori i shkollës Fatmir Neli, i cili mes të tjerash shpalosi arritjet e shkollës që drejton në garën e aktiviteteve për nder të jubileut të Çlirimit të Shqipërisë:

Ndërsa historiani Sefer Duka, njëherazi kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Mat, përmblodhi para nxënësve rolin e pazëvendësueshëm të Matit dhe matjanëve në epopenë e lavdishme të Luftës Çlirimtare të shqiptarëve që solli më 29 Nëntor 1944 dhe Çlirimin e Shqipërisë nga okupatori nazifashist.

Duka iu përgjigj edhe pyetjeve të nxënësve kureshtarë rreth Luftës Nacionalçirimtare dhe më pas kori i shkollës, përgatitur nga mësuesi i muzikës Ilmi Barjoti, solli disa numra përshëndetës me këngë partizane.

Të pranishmit e tjerë në këtë veprimtari; Besim Dalliu, kryetar i Këshillit Zonal të Organizatës së Veteranëve të LANÇ për Bashkinë Klos, Ramazan Mjeshtri, përgjegjës i Sektorit të Arsimit dhe Kulturës pranë Bashkisë Klos, si dhe Skënder Çipi, sekretar i organizatës së veteranëve të LANÇ, Mat, falenderuan organizatorët e kësaj veprimtarie edukative shkollore.

Kjo veprimtari u organizua nga Qeveria e Nxënësve të shkollës “Tahir Hoxha”, Klos, me koordinatore mësuesen e Historisë Ishe Barhani, e cila falenderoi edhe në emër të nxënësve historianin Duka për bisedën interesante që zhvilloi dhe mesazhet që përcolli tek brezi i ri.