Shkatërrimi i pyjeve pas viteve 90-te ka qenë një fenomen i pandalshëm në vendin tonë. Veç prerjeve të paligjshme, një nga shkatërrimtarët më të mëdhenj janë zjarret, dëmet e të cilave janë dhjetra miliona lekë.

Gjatë këtij muaji 2 vatra zjarri ishin të fuqishme në rrethin e Matit. Një vatër zjarri e fuqishme për dhjetë ditë me radhë dogji masivin pyjor në malin e Balgjajt. Mbi 30 ha pyje u përfshinë nga zjarri i cili dogji gjithçka që i doli para. Sipas përllogaritjeve, dëmi ekonomik në malin e Balgjajt është afërsisht 120 milion lekë të vejtra, ku janë djegur parcela me pemë halore si Ah dhe Pishë. Strukturat vendore të bujqësisë janë ende në përllogaritjen ekzakte të dëmit të shkaktuar në këtë masiv pyjor, ndërsa veç atij ekonomik, pasojat në ekosistem janë shumë të rënda.

Edhe zjarri i rënë në luginën e Shkopetit në fshatrat Lundre e Madhesh la pasojat të rënda. Ndonëse në këtë zonë masivi pyjor është me dushqe, dëmi ekonomik është dhjetra milion lekë.

Sipas një përllogaritje, nga flakët u shkrumbuan rreth 28 hektarë pyll me bimësi lis, shkurre, shqopë, dëllinjë etj. dhe sipas tarifave të Ministrisë së linjës, dëmi ekonomik shkon në rreth 90 milion lekë të vjetra.

Ndërkaq, për asnjërin nga rastet e zjarreve të rëna gjatë muajit Korrik, nuk ka asnjë person të ndaluar nga policia. Nuk dihet nëse zjarrvëniet kanë qenë të qëllimshme, por deri tani nuk ka asnjë person që mund të jetë zbuluar qoftë edhe si zjarrvënës aksidental.

Autoritetet vijojnë t’u bëjnë apel të gjithë banorëve që në këto ditë të nxehta vere të tregohen të kujdesshëm e të mos bëhen shkak për shkaktimin e zjarreve në ekonomitë pyjore të Qarkut Dibër.