Bjeshka e malit të Korabit njohet për kullotën e saj të ëmbël e të shëndetshme për blegtorinë. Qindra hektar livadhe të këtij mali, dikur kulloteshin nga mbi 30 mijë kerë bagëti e imët. Por sot, numri i tyre ka rënë ndjeshëm. Kasëm Dishi i cili prej 15 vitesh punon me blegtori në malin e Korabit thotë se numri ka rënë ndjeshëm vitet e fundit për shkak se të rinjtë po largohen dhe se mosha e tretë është e pafuqishme të merret me blegtori. Kasemi shprehet se dikur mali kishte gjallëri, por sot tufat e bagëtive janë shumë të vogëla. Sipas Kasëm Dishit, nëse nuk ndërmerren fushata për të mbajtur rininë në vendin tonë, atëherë jo vetëm blegtoria që do të zhduket, por do të kthehet çdo fshat e mal një vend i shkretë.
Një panoramë e tillë shihet thuajse në çdo bjeshkë të Dibrës pasi numri i bagëtisë që mbarështohet ka rënë ndjeshëm nga viti në vit.