Niveli i ujit në liqenin e Ulzës ka rënë thuajse në pikën minimale të tij. Shfrytëzimi i basenit ujor nga kompania KURUM për të prodhuar energji elektrike ka bërë që niveli të zbresë deri në 5 metra. Kjo duket qartë nga vija liqenore e cila ka zbritur ndjeshëm nivelin eujit.

Ndonëse niveli duhej të ruhej deri në fund të muajit Korrik për shkak edhe të shtimit natyral të peshkut në këtë basen ujor, ai është ulur ndjeshëm para kohe. Specialistët e peshkimit thonë se rënia e nivelit të ujit ndikon në rritjen e temperaturës së tij që dëmton faunën ujore që ndodhet në këtë basen. Ata shprehen se situata është e përsëritur çdo vit dhe se një pjesë e mirë e peshqëve që dalin nga shtimi natyral i muajit Qershor ngordhin nga uji i nxehtë që vjen si rezultat i uljes së nivelit të liqenit.

Një tjetër impakt negativ i rënies së nivelit të ujit në liqenin e Ulzës është edhe në turizëm. Bizneset e zonës thonë se po dëmtohen ngaqë turizmi liqenor po zbehet, për shkak se liqeni përdorej edhe për tu larë.