Kjo është periudha në të cilët kultivuesit e grurit i drejtohen tokave bujqësore për të bërë mbjelljet stinës. Por këtë vit në pikat e shitjes së farërave janë paraqitur shumë pak fermer, ç’ka tregon se interesi për të kultivuar këtë kulturë bujqësore në Mat ka rënë ndjeshëm.
Shumë pak toka bujqësore janë punuar për të kultivuar grurë, ndërsa fermerët e lidhin këtë me koston e lartë të proceseve bujqësore, çmimin e lartë të plehrave kimike, të cilësisë së farës etj.
Vitet e fundit fermerët janë ankuar vazhdimisht për cilësinë e keqe të farërave jo vetëm të grurit, por edhe të kulturave të tjera bujqësore. Ata kanë konstatuar sasi të vogël prodhimi ç’ka i ka nxjerrë me bilanc negativ. Ndërkohë, dy vite më parë pati një dyndje të fermerëve që kultivuan grurë, shtyrë edhe nga skema e mbështetjes financiare të dhënë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjë që këtë vit nuk ka ndodhur.
Ekspertët e bujqësisë thonë se duhet një mekanizëm i fortë mbështetës për fermerin që lidhet me zinxhirin e prodhimit që nga proceset e mbjelljes, cilësisë së farërave dhe sigurimin e tregut të shitjes.