Ndonëse deri sot nga forcat politike nuk e ka zyrtarizuar asnjë kandidatur për zgjedhjet lokale në katër bashkitë e Qarkut Dibër, e vetmja kandidaturë është ajo e ish deputetit Bedri Hoxha i cili pritet të garojë si i pavarur për Bashkinë e Klosit. Kandidatura e Hoxhës ende nuk është zyrtarizuar në KZAZ 17 apo në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Burime pranë KQZ i thanë Mat Televizion se ende nuk ka shkuar propozimi. Ndërkohë, pranë KZAZ 17 në Klos, mësohet se deri tani është dorëzuar grupi nismëtar për regjistrimin e kandidatit Hoxha. Sipas këtij komisioni grupi nismëtar prej 9 vetash do të mbledhë 1% të firmave të numrit të votuesve në Bashkinë e Klosit, e më pas do të kalohet në procedurën e regjistrimit. Bedri Hoxha më parë ka qenë kryetar i Bashkisë Klos në 6 vite, nga viti 2003 deri në vitin 2007 dhe 2007 – 2009, ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e partisë demokratike për 2 mandate deri në vitin 2017.