TIRANË– Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Hoxha ka shpallur kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e bashkisë Klos, e qarkut Dibër. 

Në një intervistë për Dosja.al, Hoxha ka folur për marrëdhëniet e tij me Partinë Demokratike dhe lidershipin. 

Hoxha thotë se djegia e mandateve është fatale për PD dhe për demokracisë. Ai ka treguar edhe prioritetet e tij nëse fiton këtë bashki, duke nisur që nga riaktivizimi i thertores së qytetit dhe tregut.

Intervista e plotë:

1. Pse e morët vendimin për të kandiduar si i pavarur, për të kundërshtuar vendimin e PD apo ka arsye te tjera?

– Vendimi për të kandiduar si i pavarur në zgjedhjet e 30 qershorit, nëse ato do të mbahen, nuk është për të kundërshtuar vendimin e PD, por si një mundësi ekstra ku demokratët dhe e djathta në tërësi të ndihet e përfaqësuar. Unë mendoj se dorëzimi i mandateve nga opozita ishte gabim fatal që mund të rezultojë me pasoja afatgjata për vetë PD dhe demokracinë e brishtë shqiptare . Bojkoti i Parlamentit mendoj se do të ishte rruga më e mirë për arritjen e objektivit për zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Ramën Kryeministër .

2. Keni komunikuar me drejtuesit e PD pas vendimit?

– Në fakt para marrjes së vendimit për të kandiduar si i pavarur, kam komunikuar me Kryetarin e PD Mat . Pas marrjes se vendimit nuk kam patur asnjë komunikim me zyrtarë të PD.

3. Ndërkohë që ju kandidoni, Partia Demokratike kërkon kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E mbështesni ju këtë?

– Padyshim që mbështes kërkesën e PD për krijimin e kushteve për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por kurrsesi nuk pajtohem me braktisjen e frontit apo të fushë betejës, edhe pse Kryeministri Rama sot ka kapur shtetin në çdo qelizë. Jam shumë i bindur se, me Ramën Kryeministër, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të barabarta .

4. Cfarë mendoni se po bën gabim PD? 

-Mosrespektimi i mendimit ndryshe në PD, mendoj se është një nga gabimet në raport me funksionimin e saj të brendshëm. Zbatimi i normave statutore në një Parti Demokratike kurrsesi nuk mund te jetë me dy apo me shumë standarte.

Për sa kohë një parti politike nuk udhëhiqet nga elita, të cilat janë aty sipas meritës, kontributit dhe vlerave intelektuale, por si rezultat i të qenit pjesë e oborrit të kryetarit dhe interesave të ngushta të momentit, do te çojë në dështimin e realizimit të objektivave të forcës politike, si dhe nuk do te ngjallë shpresë dhe besim tek votuesit apo anëtarësia.

5. Cilat kanë qenë dhe janë raportet tuaja me Lulzim Bashën?

– Gjatë kohës që unë kam qenë deputet (deri në shtator 2017), me z. Basha kam patur marrëdhënie korrekte. Pas shtatorit 2017 nuk kam patur asnjë kontakt, pasi nuk kam asnjë lloj funksioni në PD, jam vetëm anëtar seksioni. Madje mund të them se prej gati 2 vitesh nuk jam ftuar të marr pjesë në asnjë mbledhje në seksionin ku unë aderoj.

6. Cfarë mendoni për deputetët që nuk hoqën dorë nga mandati? Kë njihni prej tyre? Keni folur me ta?

– Sipas meje mosdorëzimi i mandateve ka qenë një vendim i drejtë, siç theksova edhe më lart, parlamenti duhej bojkotuar. Rama duhej lënë të fliste me veten dhe jo me “opozitën e re”, siç e quan ai. Ky lloj luksi nuk i duhej krijuar, edhe pse po e bën atë edhe më qesharak nga ç’ ishte deri më sot .Edhe pse e ka humbur durimin, prezenca në sallën e kuvendit e “opozites se re “, e bën atë disi më komod me ndërkombetarët. Nga deputetët që nuk e lanë mandatin kam njohje vetëm me z. Murrizi. Nuk kam folur me ta .

7. Si e shikoni protagonizmin e Rudina Hajdarit në Kuvend dhe tezat e saj?

– Protagonizmi i znj. Hajdari apo “tezat” e saj nuk më thonë asgjë. Ky lloj protagonizmi, nuk bën gjë tjetër, veçse dërgon oksigjen në reaminacionin ku ndodhet i shtruar z. Rama.

8. Kthehemi tek zgjedhjet. A mendoni që janë kushtet që zgjedhjet në Klos të jenë të lira dhe të ndershme?

– Padyshim që në Bashkinë Klos nuk mund të jetë një realitet tjetër nga ai që është kudo ne Shqipëri. Eshtë e njëjta klimë dhe e njëjta dorë qeverisëse. Unë e njoh mjaft mirë zonën dhe njerëzit, jam votuar katër herë prej tyre, për këtë iu jam shumë mirënjohës.
Ndaj e marr kurajon t’u kërkoj sërish votën, pasi jam përpjekur të jem pranë tyre në të mira dhe në hallet e shumta që ata kanë. Me shumë sakrificë mund të arrihet fitorja.

9. Ka patur blerje votash në zgjedhjet e mëparashme? 

– Në zgjedhjet e mëparshme ka patur raste sporadike të blerjes së votave por kurrsesi të pakrahasueshme me blerjen masive të votave në Qershor 2017, apo në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në shtator 2015. Kjo masakër elektorale nuk duhet përsëritur më.

10. Po manipulime të tjera ka patur?

– Manipulime në forma të ndryshme ka patur gjithnjë.

11. Mendoni që Edi Rama mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? 

– Për sa kohë që kjo qeveri dhe z. Rama janë të lidhur si mishi me thoin me krimin e organizuar, e kanë të pamundur të realizojne zgjedhje të lira dhe të ndershme.

12. A i shërben Edi Ramës vendimi juaj? 

– Vendimi im nuk i sherben aspak Edi Ramës por qytetarëve të Bashkise Klos. Lënia pa përballje do ishte shërbimi më i mirë për Ramën.

13. Po Bindja Demokratike a i shërben Edi Ramës me regjistrimin në zgjedhje? 

Kjo ngelet për t’u parë. Në planin politik Rama ndihet më komod, por askush nuk mund të pretendojë se ka monopolin e përballjes me këtë mazhorancë të zhytur në krim dhe korrupsion.

14. Cfarë do të ofroni ju për Klosin si kandidat i pavarur?
– Transparencë dhe efikasitet në përdorimin e parasë publike. Parimi im, me pak para mund të bëhen shumë, do të funksionojë më së miri për këtë. Kam dhënë prova si kryetar i kësaj Bashkie. Emergjencë mbetet hapja e tregut dhe ringritja e thertores, e mbyllur nga qeveria prej më shumë se 3 vitesh. Kjo masë e ka përkeqësuar therrjen e bagëtive, pasi realizohet në kushte shtëpie nga fermerët, pa asnjë kontroll veterinary. Brenda 5 muajve do t’i jap zgjidhje këtij problem. Do të shumëfishoj investimet në arsim, kulturë, infrastrukturë rrugore. Do të stimulojmë rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral përmes skemave mbështetëse. Me përfundimin e Rrugës së Arbrit distanca me Tiranën do të jetë 34 km. Një mundësi e mirë për të tregtuar prodhimet bio në një treg mjaft të madh. Turizmi mbetet një nga sfidat, pasi Klosi ofron shumë atraksione të paeksploruara më parë.

(Marrë nga Dosja.al)