Bashkia e Matit zhvilloi këtë të premte një dëgjesë publike në të cilën ishin planifikuar të diskutoheshin tri pika, Rishikim i Planit të Përgjithshëm Vendor, Administrimi i Zonave të parkimit në qytetin e Burrelit dhe transporti rreth qytetas si dhe diskutime mbi emërtimet e shesheve “Ahmet Zogu’ dhe “Demokracia” në Burrel. dëgjesa nisi me rishikimin e planit të përgjithshëm vendor ku për zgjerimin e zonave të përfshira në plan folën përfaqësuesit e zyrës së urbanistikës, duke sqaruar të gjitha zonat ku do të ketë ndryshime në planin e ri, për t’i dhënë mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të zonës si në aspektin turistik ashtu edhe në atë ekonomik. Rishikimi i këtij plani prek të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së Matit. Ndërkohë sa i përket administrimit të zonëve të parkimit dhe transportit rreth qytetas, sqaruan përfaqësues të drejtorisë së shërbimeve nga ku dhe varet ky shërbim. Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se rishikimi i planit të përgjithshëm vendor është bërë për t’i dhënë mundësi zhvillimit ekonomik të zonës.
Sa i përket Administrimi i Zonave të parkimit në qytetin e Burrelit dhe transporti rreth qytetas, Kryebashkiaku Malaj u shpreh se tarifa 50 për zonën A nga 0 deri në 2 orë dhe zonën B nga 0 deri në tre orë është e përballueshme. Po ashtu do të ketë edhe një parkim publik pranë stadiumit “Liri Ballabani”. Ndërkohë parkimet brenda lagjeve për rezidentët do të jenë papagesë. E gjitha kjo tha Malaj bëhet për t’i dhënë një frymëmarrje qytetit.
Një tjetër pikë e kësaj dëgjese publike ishte edhe ajo për emërtimet e shesheve “Ahmet Zogu” e “Demokracia”. Në konsultimin me publikun është menduar që shehi para bashkisë që quhet aktualisht “Ahmet Zogu” të emërtohet “Kastriotët” dhe shehi demokracia ku është aktualisht busti i mbretit Zog, të emërtohet sheshi “Ahmet Zogu”.
Të pranishmit në këtë dëgjesë publike, drejtuan pyetje të ndryshme për paqartësitë, përgjigje të cilat i dhanë espertët e fushës.