Ndonëse ishte një investim prej miliona lekësh i bërë rreth 6 vite më parë, asnjëherë nuk e kreu funksionin për të cilin u ndërtua. Mat Televizion i ka kërkuar në mënyrë kronologjike Autoritetit Rrugor Shqiptar një arsye se përse ky sistem ndriçimi nuk ishte vënë në funksion të përdoruesve të rrugës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Bashkia Mat, e cila pas mungesës së veprimit nga ana e ARRSH ka vendosur që ta vërë vetë në funksion. Specialistët e Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë e Matit kanë bërë të mundur riparimin e defekteve të ndriçuesve dhe linjës së përcjelljes së rrymës e më pas e kanë vendosur në funksion të plotë. Por jo vetëm kaq, këtij ndriçimi i janë shtuar edhe ndriçues të rinj të vendosur në hyrje të rrugës së Zenishtit. Ndriçimi i rrugëve hyrëse të qytetit të Burrelit është një plan objektiv i Bashkisë së Matit për vitin 2021. Puna pritet të vijojë deri në fshatin Shoshaj, për të bërë të mundur ndriçimin e gjithë aksit nga “Kthesa e Sanës” deri në Shoshaj.