Që nga dita e hënë të rinjtë nga mosha 16-20 vjeç që ju bashkuan Kampit Veror të njoftuar nga Sektori i Arsimit, Kulturës dhe Sporteve në bashkëpunim me Njësinë e Integrimit në Bashkinë Mat po vizitojnë të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie. Ndalesa e radhës ishte në Njësinë Administrative Rukaj, ku mes të tjerash të rinjtë vizituan shpellat e Bruçit. Rruga për tek shpellat natyrisht që duhet bërë në këmbë e në një terren jo të lehtë, por dëshira për tu njohur nga afër me këto shpella i bëri të rinjtë të shkonin deri aty me pasion. Natyrisht që ata kishin dëgjuar e lexuar për këto shpella, por të qenit fizikisht aty ishte ndjesi ndryshe për ta. Të rinjtë të cilët i ishin bashkuar kampit veror u shprehën se do tjua sugjerojnë edhe bashkëmoshatarëve të tyre që t’i vizitojnë.
Të rinjtë e kampit veror u shoqëruan gjatë gjithë kohës nga Administratori i Njësisë Administrative Rukaj, Ervin Lleshi i cili i njohu ata edhe me shumë resurse të tjera që ka kjo zonë. Ndalesa e radhës e të rinjëve të kampit veror do të jetë njësia administrative Ulëz.