Urat tip bel e ato pasarel vazhdimisht bëhen problem për shkak të dëmtimit të shtresës prej dërrase. Banorët e fshatrave të Bashkisë Klos janë ankuar vazhdimisht për gjendjen e tyre. Ndërkohë bashkia ka bërë të mundur riparimin e të gjitha urave prej dërrase në territorin e saj.
Ndërhyrje është bërë në urën tek ish pazari i vjetër që e lidh me fshatin Fshat, Dars e fshatin Shkallë të Xibrit. Në këtë urë është bërë zëvendësimi i të gjitha dërrasave të dëmtuara me dërrasa të reja duke mundësuar kalimin normal të automjeteve. E njëjta ndërhyrje është bërë edhe në urën e fshatit Dars pranë urës së “Halilajve”. Po ashtu, me të njëjtën punë janë zëvendësuar të gjitha dërrasat edhe tek ura e Degës që përdoret nga banorët e fshatit Mishtër si dhe urat në fshatrat e tjerë të Gurrës e në Xibër.
Drejtues të drejtorisë së shërbimeve dhe infrastrukturës kërkojnë mirëkuptimin e banorëve që të mos përdorin automjete të tonazhit të rëndë mbi këto ura, pasi problemi i dëmtimit të dërrasave rikthehet shpejt.