Problemi i shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç, ende nuk ka marrë një zgjidhje definitive. Nga njëra anë janë banorët e njësisë administrative Suç që po protestojnë për rihapjen e objektit ekzistues e nga ana tjetër, është pushteti lokal i cili po mundohet t’i japë një zgjidhje përfundimtare.
Burime pranë Bashkisë Klos, thanë se i është kërkuar zyrtarisht Institutit të Ndërtimit në Tiranë që të japë një vendim përfundimtar në lidhje me fatin e objektit.
Në ditët në vijim pritet që ekspertë të institutit të ndërtimit të mbërrijnë pranë objektit të shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç, për të bërë një tjetër vlerësim.
Pas kësaj, mësohet se Bashkia e Klosit pritet t’i drejtohet Ministrisë së Arsimit në lidhje me financimin e projektit për rikonstruksionin e objektit aktual ose ndërtimin e një godine të re.
Nga ana tjetër, banorët janë shprehur të bindur se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkolla të tjera, duke paralajmëruar protestën e radhës me datë 27 Shtator.