Kush e dëmton urën e Darsit? Ura që lidh fshatin Dars, fshatin Fshat dhe fshatin Shkallë të njësisë administrative Xibër me qytetin e Klosit është dëmtuar sërisht. Megjithë ndërhyrjet e bëra në të, kjo urë vijon të jetë problematike për banorët e këtyre fshatrave. Por ajo që nuk dihet nga banorët, është dëmtimi i dërrasave nga mjete të tonazhit të rëndë, apo cilësia e dobët e tyre që vendosen nga bashkia e Klosit. Jashtë kameras, banorë të këtyre fshatrave thanë se ura po shkon drejt degradimit sërisht si pasojë e dëmtimit të dërrasave ku duhet të qarkullojnë makinat. Zgjidhja e vetme sipas banorëve është vendosja e një tabele që duhet të tregojë peshën maksimale që duhet të kalojë mbi këtë urë dhe për të gjithë ata që kalojnë mbi tonazh, të merren masa nga autoritetet vendore. Ura e fshatit Dars apo ish pazarit të vjetër të Klosit u ndërtua tre vite më parë si pasojë e një bashkëpunimi mes Bashkisë së Klosit dhe Ministrisë së Mbrotjes, por ajo vazhdimisht është kthyer në jo vetëm problem, por edhe rrezik të madh për banorët për shkak të dëmtimit të shtresës së dërrasës.