Në një ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës së qytetit, me pjesëmarrjen e shumë emrave të njohur nga arti, kultura, media, politika, akademia dhe shumë të afërmve e kolegëve të saj, Dr.Alma Cani, mori titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin “ Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19”.

Pjesëmarrës në takim qenë emra të njohur për publikun si Agron Llakaj, Adriatik Alimadhi, Ulsi Manja, et., të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen që Dr.Cani u kishte dhënë gjatë periudhës kur kishin qenë të infektuar me Covid-19. Të tjerë emra si Tritan Shehu, Ardit Gjebrea, Inva Mula, Zala Çela, Manjola Nallbani etj., përmes video-mesazheve vlerësuan kontributin dhe mbështetjen e Dr.Canit gjatë përballimit me sëmundjen.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla e vlerësoi figurën e Dr.Canit si një vlerë jo vetëm për Bulqizën, por për të gjithë Shqipërinë. “Aftësitë e saj profesionale, të bëra bashkë me humanizmin që e karakterizon atë, u kthyen në shpresë dhe shërim për gjithkënd që iu drejtua qendrave spitalore ku ajo angazhohej, kryesisht në reanimacionin pranë klinikës së kirurgjisë në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi.”, vijoi më tej z.Alla.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe figurën e babait të znj.Cani, mjekun e njohur Dr.Mehdi Cani. “E sigurisht, nuk mund të ndodhte ndryshe, kur doktoreshë Alma ishte edukuar nga dy prindër të mrekullueshëm, nga një baba si Mehdi Cami, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e qendrës shëndetësore në Bulqizë që në vitet 1950-1960, e që më pas arriti të hapte dhe organizonte edhe pavijonet e pediatrisë, kirurgjisë, infektivit e tjerë. Mirënjohje të thellë edhe për Dr.Mehdiun, i cili edhe sot e kësaj dite kujtohet si një nga mjekët më të mirë që kemi pasur në qytetin tonë, por edhe në Peshkopi ku shërbeu për vite me radhë.”, tha ndër të tjera z.Alla.

Vetë Dr.Alma Cani e vlerësoi titullin “Qytetar Nderi” si më të rëndësishmin që ka marrë gjatë gjithë karrierës së saj. Teksa falënderoi Këshillin Bashkiak Bulqizë, Kryebashkiakun Alla dhe të gjithë të pranishmit për emocionet që përcollën gjatë ceremonisë, Dr.Cani u shpreh se ky titull do të shërbejë si një burim motivimi për t’iu përkushtuar edhe më shumë profesionit të saj, në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.