Megjithëse është bërë problem mediatik disa herë, në afërsi të tunëlit në Qafën e Buallit, vijon të hidhen inerte nga më të ndryshmet. Jo vetëm që deri tani nuk është marrë asnjë masë për heqjen e tyre nga ana e Bashkisë Bulqizë, përkundrazi pirgu i mbetjeve vijon të rritet nga dita në ditë.
Mbetjet e hedhura këtu duken qartë që janë të dala nga rikonstruksioni i objekteve të ndryshme të bëra në Bashkinë e Bulqizës. Por në mungesë të një vendi të përcaktuar nga ana e pushtetit vendor, ato hidhen këtu nga individ apo subjekte të ndryshme ndërtimi, duke krijuar një ndotje të tmerrshme.
Ndërhyrja e Bashkisë Bulqizë, duhej të ishte bërë prej kohësh jo vetëm për faktin se territori i saj është i ndotur dhe ka një imazh të keq, por edhe për faktin e angazhimit kombëtar nga ana e qeverisë për të pastruar territorin nga mbeturinat e konsumit të përditshëm dhe inertet.
Zona pranë tunelit në Qafën e Buallit, pjesë e rrugës së Arbrit është e ndotur me plastikë, lëcka, materiale ndërtimi e deri tek mbetjet e ndryshme të automjeteve të dala jashtë përdorimit.
Imazhi që krijohet është vërtetë i keq, duke shtuar këtu edhe pasojat e rënda që biejnë mbi mjedisin.