Kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga Shkodra, ka komentuar deklaratën e Ramës, që sipërmarrësit të marrin punëtorë nga Bangladeshi.

Basha theksoi se plani i Ramës është në fakt që ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi.

“Shqipëria sot është kapur nga korrupsioni dhe këtë e thonë organizmat ndërkombëtarë. Shtetet e rajonit kanë dhënë shumë para për të marrë veten nga pandemia, kurse ju keni paguar nga xhepi juaj. Plani ynë sheh taksa më pak sesa vendet e rajonit. Ju jeni shpresa për të bërë këtë vend.

Ky njeri nuk do marrë punëtorë nga Bangladeshi, por Rama do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi. Mbyllinii derën këtij njeriu dhe lëreni Shqipërinë të shkojë në BE. Ne do mendojmë për bizneset, për njerëzit e thjeshtë e punëtorë të vendit. Do jemi partner me sipërmarrjen. Do të ndalim emigracionin masiv, që është plaga më e madhe e vendit. Punësimi i rinisë me paga të mira do bëhet realitet”, tha Basha.

Lulzim Basha nënvizoi se kjo qeveri po çon vendin në greminë, duke shtuar se thirrja për ndryshim dëgjohet anembanë Shqipërisë.

“Shkodra, për shkak të diskriminiimit politik e ekonomik, e ka përjetuar thellë krizën e rëndë 8-vjeçare. Shqipëria po zbrazet dhe biznesi po vuan. Të vazhdon këtë rrugë do të thotë të shkosh me këmbët e tua drejt greminës. Thirrja për ndryshim dëgjohet në të gjithë Shqipërinë, nga çdo grup shoqëror. Biznesi i vogël është në gjendje të mjerë. Programi ynë ka zgjidhje korrekte. Ne synojmë ta bëjmë Shqipërinë konkurruese në ekonomi në rajon. Ne synojmë që të zhdukim terrorin e taksidarëve. Me ne, do keni më shumë para në xhepat tuaj dhe punëtorët do kenë më shumë të ardhura. Do i përgjigjemi kërkesës për paga më të larta. Ne jemi pro biznesit dhe pro punësimit”, u shpreh Basha.