Pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, kreu demokrat Lulzim Basha ka nisur sot nga Durrësi takimin me strukturat e PD-së së çdo qarku.

Në fjalën e tij, kreu demokrat tha se rezultati i 25 prillit nuk do të njihet kurrë. Sipas Bashës, beteja e demokratëve do të mbarojë me përmbysjen e regjimit të Ramës.

“Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të ardhme e tyre, e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdojë deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”.

Basha deklaroi se PD ka depozituar në SPAK mbi 180 kallëzime penale mbi krimet zgjedhore.

“Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit. Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe. Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit”.

Ai foli me emra konkretë për shitblerjen e votës dhe keqpërdorimin e thesarit të shtetit dhe përdorimin e administratës publike.

“Të gjithë e dimë, demokrat e socialistë, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës së Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës, dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediat ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhtia dhe braktisja e Edi Ramës. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE te Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë dosjet e të cilave dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit”.

Basha theksoi se demokratët nuk dorëzohen kurrë dhe PD do të vazhdojë betejën deri në përmbysjen e këtij regjimi, siç e cilësoi ai dhe angazhimin.

“Rinia demokrate durrsake dhe rinia demokrate e të gjithë Shqipërisë, demokratët nuk dorëzohen kurrë. Sepse njësoj si në 91-shin dhe në 2001-shin e në çdo betejë tjetër ne jemi e vetmja garanci, e vetmja digë që e ndan të mirën nga e keqja, dëshpërimin nga shpresa, errësirën totale nga mundësia e një fije drite. Ne jemi jemi nisur për t’i çuar shqiptarët drejt një të ardhmeje më të mirë. 25 prilli është një masakër elektorale ku vullneti i  zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin. Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë”.