Situata e krijuar nga reshjet e dëborës së tre ditëve më parë është përmirësuar në Dibër e Bulqizë. Ndalja e reshjeve i ka dhënë mundësinë bashkive të ndërhyjnë për hapjen e rrugëve rurale, duke mundësuar qarkullimin e mjeteve, ndonëse në disa zona të thella me vështirësi. Drejtues të Bashkisë Dibër, thanë se më problematike situata ka qenë në Njësinë Administrative Lurë dhe Kala e Dodës, pasi trashësia e dëborës atje ka kaluar mbi 40 centimetra.

Por banorët e Njësisë Administrative Lurë, po përballen me mungesën e energjisë elektrike prej katër ditësh. Shkak për ndërprerjen e energjisë elektrike në këtë zonë, mësohet të jetë dëmtimi i rrjetit përcjellës dhe shembja e shtyllave.

Banorët kërkojnë që OSHEE të ndërhyjë sa më parë dhe të rikthejë energjinë elektike. Situatë e njëjtë paraqitet në fshatrat e thellë të Bulqizës. Qindra banorë të Trebishtit, Ostrenit e Zerqanit janë pa rrymë elektrike që prej të Martës.