Sipërfaqja e punuar në luginën e Matit sa vjen e zvogëlohet çdo vit, duke përjashtuar vitet kur janë hapur grante mbështetëse për fermerët nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj lugine shprehen se bujqësia asnjëherë nuk e ka patur mbështetjen e nevojshme nga qeveritë e këtyre 30 viteve. Sipas tyre ky sektor i cili ka qenë jetik para viteve 90-të po degradon çdo ditë si pasojë e mosmbështetjes financiare për të gjithë fermerët, edhe ata që kanë pak tokë bujqësore. Çmimet e proceseve të punimit të tokës janë rritur dhe janë bërë të papërballueshme për shumë banorë, ndaj dhe rritet sipërfaqja djerr çdo vit. Luan Boza thotë se nuk ka asnjë stimulim e mbështetje nga institucionet shtetërore që të merren me bujqësi, ndaj dhe njerëzit largohen.

Për Petrit Hasën një tjetër problem me të cilin përballen fermerët është edhe cilësia e dobët e farërave. Sipas tij, askush nuk mban përgjegjësi nëse fara rezulton e keqe edhe pse e blejnë me çmim të lartë.

Para tri dekadash lugina e Matit mbillej e gjitha dhe siguronte prodhime të ndryshme bujqësore, por sipërfaqja e punueshme vitet e fundit ka ardhur duke u zvogëluar.