Disa ambulanca të shërbimit parësor shëndetësor në fshatra kanë mbetur thuajse me godina bosh, pasi në shumë prej tyre nuk jepet shërbim. Kështu, godina ambulatore e fshatit Bllatë e Sipërme në Bashkinë Dibër prej vitesh është jashtë funksionit. Banorët thonë se shkak është bërë mungesa e infermierit prej kohësh. Ata detyrohen që shërbimin më minimal të shkojnë ta marrin në fshatin Maqellarë dhe për këtë të kenë një kosto të lartë ekonomike. Sipas banorëve, për të bërë një gjilpërë duhet të faturojnë taksi e cila kushton deri në 1000 lekë të rinj për t’i dërguar tek Qendra Shëndetësore e Maqellarës. Ata kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimit Social të emërojë një infermier për fshatin e tyre pasi shumica janë moshë e tretë dhe kanë nevojë që shërbimin shëndetësor ta marrin pranë banesave. Madje, banorët shkojnë më tej teksa thonë se e paguajnë edhe privatisht me rrogë mujore.
Banorët e fshatit Bllatë e Sipërme, në Dibër, shpresojnë që problemi i tyre të marrë zgjidhje, pasi është nevojë jetike pasja e shërbimit shëndetësor parësor pranë banesave të tyre.