Dukagjin, Barbullej dhe Derjan në Njësinë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit, zhvilluan këtë të premte një dëgjesë publike për problemin ujit të zallit të Gjoçajve. Në dëgjesën publike të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes njëherësh koordinatore politike e Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, Olta Xhaçka, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, përfaqësues të firmës që po ndërton HEC-in etj. Banorët e këtyre fshatrave shprehën shqetësimin e tyre se ndërtimi i këtij HEC-i jo vetëm do të dëmtojë mjedisin, por do të lërë pa ujë edhe ata. Ata kërkuan nga ministrja Xhaçka, zëvendësministri Bonati, që zëri i tyre të dëgjohej pasi investimi sipas tyre është në dëm të konunitetit. Ndërkohë, përfaqësuesi i firmës Bardhyl Muceku, sqaroi projektin, duke u shprehur se investimi sipas tij jo vetëm nuk cënon burimin ujor, por ndihmon që në të ardhmen ai burim të shfrytëzohet me projekt për ujësjellës për të gjithë banorët. Ministrja Olta Xhaçka dhe zëvendësministri i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, siguruan banorët që asnjë veprim nuk do të bëjë firma pa marrë konsensusin e banorëve. Në fjalën e saj, Xhaçka iu kërkoi banorëve që të krijonin një përfaqësi që të hartojnë të gjitha kërkesat e tyre ndaj firmës apo ministrive të linjës, që problemi të merrte zgjidhje afatgjatë. Në përfundim të takimit u ra dakord që të ndërtohet përfaqësia e banorëve dhe në vazhdim të zhvillohen takime mes ministrisë së linjës, firmës dhe asaj përfaqësia që do të zgjedhin vetë banorët.