Banesa monument kulture që po rrezikon jetë njerëzish

Banesa monument kulture që po rrezikon jetë njerëzish

Janë me dhjetra ndërtesa në vendin tonë që mbajnë statusin “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”. Ata e kanë marrë këtë status kryesisht paraviteve 90-të, por që e mbajnë edhe sot e kësaj dite. E tillë është edhe banesa “Kurti” në fshatin Shupenzë të Bulqizës. Kjo banesë u shpall “Monument Kulture e Kategorisë së Parë” në 8 Janar të vitit 1977, nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës e asaj kohe. Ajo ka një arkitekturë tipike të zonës së Dibrës, e ndërtuar kryesisht me gurë, qerpiç, dhe elementë druri. Nonëse mban këtë status të veçantë dhe është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të vendit tonë, kujdesi ndaj saj duket që është “zero”. Banesa jo vetëm që nuk është mbajtur në gjendje të rregullt, por ajo rrezikon edhe jetën e banorëve që kalojnë poshtë saj. Familja e Shefik Kurtit e ka të pamundur restaurimin, ndërsa Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit nuk ka bërë asnjë ndërhyrje. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Zona e Bulqizës ka disa objekte të tilla që mbajnë statusin “Monument Kulture”, por kujdesi për ta mbajtur gjallë kujtesën thuajse mungon. Si mungesë e mirëmbajtjes, një banesë e tillë, në fshatin Sopot të Bulqizës, u shemb e gjitha një vit më parë.