Kjo është një ndër banesat monument kulture në vendin tonë i cilësuar si i kategorisë së parë. Banesa e “Rexhep Lleshit” ndodhet në fshatin Klos-katund të Bashkisë së Klosit ngjitur me rrugën nacionale Klos – Bulqizë. Veç statusit që mban, në këtë banesë jeton ende familja Lleshi, e ndarë në tre kurorë. Ylber Lleshi thotë se banesa ka nevojë për merimetime të ndryshme pasi ndër vite ka pësuar amorizim të madh. më problematike situata paraqitet në çatinë e saj, por edhe në muret në anën perëndimore.
Ylberi tregon se të vetmit të interesuar që ka parë pranë banesës kanë qenë vizitorët dhe kureshtarët e ndryshëm të cilët e kanë përdorur për të bërë fotografi. Por sipas tij, autoritetet përgjegjëse për këtë banesë nuk kanë kryer në të asnjë investim. Vetë familja Lleshi e ka të pamundur ekonomikisht të ndërhyjë, por edhe në të kundërtën nuk i lejohet për shkak të statusit që ka.
Ndërkohë në faqen zyrtare të Sektorit të Kulturës Kombëtare Dibër, e vetmja punë e bërë për këtë banesë është vizualizimi 3D i kësaj banese.