Një masiv i madh dheu e zhavori ka mbuluar rrugën e Arbrit në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Prania e baltës në rrugë ka vënë në rrezik drejtuesit e mjeteve të cilët janë përballur me befasi gjatë lëvizjes në këtë aks rrugor. Shembja e dheut dhe zhavorit në këtë vend vijon prej dy ditësh, ndërsa një ditë më parë rruga është bllokuar për afro 1 orë. Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë bërë që dheu të zbresë nga shpati i malit e në mungesë të pritave të përfundojë në asfalt. Drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks rrugor u shprehën se minimumi që duhej bërë ishte vendosja e një sinjalistike paralajmëruese shumë larg vendit ku ka ndodhur shembja, pasi rrezikojnë të rrëshqasin në baltë. Ata thanë gjithashtu se rruga ka edhe probleme të tjera kryesisht me deformimin e trasesë, ndaj dhe duhet të shoqërohet me sinjalistikën e paralajmërimit të rrezikut.

Rrëshqitja e dheut vijon ndërsa drejtuesve të automjeteve u kërkohet të tregojnë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm gjatë qarkullimit në rrugën e Arbrit.